Turizmi, rol vendimtar në njohjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Bashkisë Lushnjë e Divjakë

Ruajtja, njohja dhe promovimi i vlerave kulturore të trevës së Myzeqesë dhe vecanërisht të bashkisë Lushnjë e Divjakë ishin pjesë e diskutimit në Podkastin e realizuar me guidën Migen Avdullaj në Radio Lushnja. Horizont EU është duke realizuar projektin “Ndërgjegjësimi i të Rinjve për vlerat e Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lushnjë” mundësuar me mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).  Me këtë projekt Horizont EU ka për qëllim rritjen e numrit të njerëzve kryesisht të rinj të cilët do të ruajnë, promovojnë e trashëgojnë ndër breza vlerat e kostumeve dhe valleve popullore si dhe objekteve kulturore.

ETNOGRAFIA E ZONËS SË DIVJAKËS

Në Muzeun Historik të Lushnjës janë të ekspozuara veshje tradicionale të zonës së Myzeqesë, ku bën pjesë edhe Divjaka. Janë veshje për gra e për burra, për fëmijë, madje edhe veshje të përdorura për ditë feste. Sipas etnologëve, që në kohët më të hershme zona e Myzeqesë karakterizohej për prodhimin e pëlhurave në tezgjah.