Kolonia e Çafkave dhe e Karabullakeve ne PKDK

Teksa në koloninë e pelikanit kaçurrel koha e folezimit është drejt përfundimit, në koloninë e çafkave dhe karabullakëve, më të madhen në Shqipëri, që ndodhet brenda kufijve të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, është në zanafillën e tij.

Sikurse u veprua me koloninë e pelikanit kaçurrel, edhe procesin e folezimit në koloninë e çafkave dhe karabullakëve, AdZM Fier po e ndjek me vëmëndje duke zbatuar një monitorim sistematik mbi bazën e metodikave shkencore. Në këtë mënyrë, do të mund të grumbullohen të dhëna të rëndësishme mbi veçoritë e folezimit në këtë koloni.

Nga vëzhgimet e fundit, duket qartazi se në një pjesë të kolonisë folezimi ka filluar, madje në një pjesë domethënëse ka filluar edhe ngrohja e vezëve. Ndërsa në pjesën tjetër shpendët janë duke u afruar dhe duke riparuar foletë.

Çafka e bardhë e vogël duket se është lloji i afruar i pari në koloni duke filluar edhe procesin e folezimit. Ndërsa karabullaku i vogël ëhstë ende pjesërisht drejt stacionimit dita-ditës dhe pjesërisht në fazat e lëshimit të vezëve.

Përfitojmë nga rasti, që krahas ndarjes së këtij informacioni të theksojmë se në këtë periudhë është thelbësore që të shmanget çfarëdolloj shqetësimi në afërsi apo në brendësi të kolonisë. Shqetësimi në këtë periudhë dëmton procesin e folezimit dhe mund t’a dështojë tërësisht atë. Prandaj, ndalohet frekuentimi apo lëvizja në atë zonë.

https://www.facebook.com/1810906564/videos/10213110941567434/