Nëse shikon faqen online të RTSH, është e vështirë të gjendet se cili është programi që transmetohet dhe në cilin nga kanalet televizive. Kaq mjafton për të treguar se sa pak është investuar për të ndërtuar institucionin brenda RTSH-së. Institucioni dhe veçanërisht media, mbahet në radhë të parë nga ndërtimi i programeve, strukturave dhe mekanizmave, të cilët nuk i merr era e ndryshimit të drejtuesve të radhës, drejtues ekzekutive apo bordesh.
Media para së gjithash është produkt i stafeve krijuese dhe artistike, gazetarëve, teknikëve dhe regjisorëve, skenografëve, orkestrantëve dhe programuesve, të cilat japin ide dhe prodhojnë programe televizive, ata janë bërthama e medias. Ndër vite këta ata qenë krenaria e RTSH-së. Pa e kthyer vëmendjen sërish tek krijuesit, edhe drejtuesit e radhës në RTSH do të jenë thjesht një kalim në kohë dhe në post, pa mundur të realizojnë detyrën e rikthimit të RTSH-së te publiku dhe jeta reale.