Bashkia Divjakë, “Tregu i Peshkut” dhe disa pyetje që lindin për Lagunën e Karavastasë

Ndërtimi i një tregu peshku nga bashkia Divjakë në një pjesë shumë të rëndësishme të Parkut Kombëtar Divjakë – Karavasta ngre shumë pikë pyetje për mënyrën e konceptimit, menaxhimit dhe në vecanti për mënyrën e funksionimit të tij në vijimësi.

Së pari ky treg duket qartazi se ka “Yzmin” e Ministrisë së Mjedisit por a ka bashkia një vendim të Ministrisë së Mjedisit për kalimin në pronësi apo në përdorim të kësaj sip toke prej afro 1600 m2?

Së dyti a ka marë Leje Mjedisore bashkia për këtë objekt dhe nëse po kush e ka lëshuar?

Se treti kush do ta menaxhojë dhe si trafikun e mjeteve sepse për të shkuar tek tregu duhet të përshkrosh gati të gjithë Parkun me Pisha dhe vijën bregdetare në vecanti ku do të rritet trafiku i mjeteve dhe njerëzve pranë kanalit të parë, Zonë e Mbrojtur dhe me qarkullim të lartë të specieve që hyjnë e dalin nga Laguna në det nëpërmjet këtij kanali.

Së katërti funksionimi i këtij tregu dhe ndërtesa prej 222 m2 kanë zgjidhur me gropë septike mbledhjen e ujërave të tualeteve apo përdorimit për nevojat e Tregut. Projektuesi shprehet se gropa septike ka standarte të garantuara që asnjë pikë uji prej saj nuk do të shkojë në Lagunë por kjo kërkon që të angazhohet një mjet autobot të paktën njëherë në javë (në varësi të aktivitetit) duhet pastruar, cka rrit koston e shërbimit.

Së pesti bashkia duhet të bëjë publike mënyrën e menaxhimit të këtij tregu nëse do ta menaxhojë vetë apo do tua japë palëve të treta ta administrojnë dhe nëse po në cmënyrë, sa garanci ofron për zonën dhe mjedisin?

Pyetje ka shumë dhe hamendësime po ashtu por që të mos gjykohemi si pengues të zhvillimit duhet të jemi të kujdesshëm për të ruajtur pikërisht atë ekuilibër sa delikat aq të frikshëm që gjithmonë ka anuar nga ana e institucioneve të shtetit apo të fortit duke dëmtuar në fund të ditës natyrën dhe mjedisin e duke tjetërsuar më pas qëllimin e objektit dhe funksionin e tij. Koston e paguan qytetari me taksat e tij që ja menaxhon Bashkia.

Qëllimi i këtij shkrimi është një dalje borxh në mënyrë publike personave të përfshirë që të jenë të kujdesshëm kur të firmosin mbi dokumente që prodhojnë dëme financiare apo mjedisore dhe fatura ti mbetet qytetarit! JO! Këtë radhë e në vijim koston duhet ta paguajë dëmtuesi jo i dëmtuari

Pikërisht këto janë arsyet që kërkojmë garanci e të na bëhen me dije nga bashkia e të gjitha institucionet dhe personat përgjegjës! Nuk po hyjmë tek vlera e vogël financiare e vënë për ndërtimin 25 mil lekë të reja në një kohë që në këto zona duhen ruajtur disa standarte të padiskutueshme dhe standartet kanë kosto më të larta se vlera e vënë në dispozicion për ndërtimin e objektit “Tregu i Peshkut” në Lagunën e Karavastasë!

Horizont EU