10 Maji, dita e Pelikanit ngjall interes për të rinjtë e shkollave në PKDK

Pelikani dalmat (latinishtPelecanus crispus) apo pelikani kaçurrel, është anëtari më i madh i familjes pelikane dhe ndër zogjtë më të rëndë fluturues në botë. Ai është ndër shpendët më të mëdhenj të Europës, me një gjatësi trupi mes 1.6 dhe 1.8 metrave, dhe gjatësi me krahët e hapur mes 2.7 dhe 3.2 metrave.  Ka një sqep shumë të madh të pajisur me xhep lëkure në nofullën e poshtme, me të cilën kapin peshk. Në ndryshim nga disa shpende të tjerë fluturojnë në tufa të organizuara, ku pjesa më e madhe është e sinkronizuar.Të rriturit kanë pendë të përdredhura në fund të kokës dhe zverk si dhe karakterizohet nga ngjyrë e bardhë e trupit si dhe ngjyra e gushës e verdhë. Në periudhën e riprodhimit, gusha e tyre merr ngjyrë portokalli të ndezur. Të vegjlit dallohen për ngjyrën gri në kafe.

Përhapja

Laguna e Karavastasë është vendi i vetëm ku folezon në Shqipëri, ndërsa është dimëronjës përgjatë disa zonave të bregut Adriatik, disa liqeneve si dhe në lagunën e Nartës dhe Karavastasë. Liqenin e madh te Prespes e përdor si zonë për ushqim.

Kërcënimet

Pelikani Kërcënohet vazhdimisht nga tharja dhe shkatërrimi i kënetave, prishja e foleve dhe dëmtimi i vezëve nga kafshët e tjera, shqetësimi gjatë periudhës së riprodhimit, elektroshoku dhe përplasja me shtyllat elektrike. Një nga shqetësimet më serioze që është shfaqur së fundmi nga ndryshimet klimaterike ka të bëjë me zvogëlimin e sipërfaqes ishullore ku folezon Pelikani për shkak të erozionit dhe rritjes së nivelit të ujit në periudha të caktuara në kënetë, sic ishte rasti i vitit 2026, fenomen që nuk kish ndodhur prej mbi 10 vite.

Një grup nxënësish t   shkollave të Mesme Fierseman si dhe shkolla e Mesme Artistike Vlorë në bashkëpunim me AdZM Fier në partneritet me AOS vëzhguese dhe monitoruese e vazhdueshme e Pelikanit Kacurel dhe shpendëve migratorë në PKDK e Zonat e Mbrojtura prej vitit 1992 si dhe Horizont EU organizatë Mjedisore me fokus edukimin dhe ndërgjegjësimin e banorëve, u bënë pjesë e Ditës së Pelikanit ku profesor Taulant Bino u shpjegoi nxënësve historinë e Pelikanit nga vendosja e tyre e parë në Shqipëri deri në ditët e sotme.

Interesi dhe pyetjet e nxënësve e bënë Akoma edhe më interesant bashkëbisedimin, duke zgjuar interesin dhe marrjen e informacionit më to plotë rreth Pelikanit. Vëzhgimi i Pelikanit dhe zogjve në periudhën e rritjes së të vegjëlve nga distanca për të mos i shqetësuar dhuroi emocione dhe rriti ndjeshmërinë e të rinjve ndaj simbolit të Parkut, Pelikanit Kacurel.

FAKTORËT DHE SHQETËSIMET KRYESORE HISTORIKE TË PELIKANIT KAÇURREL NË SHQIPËRI, DHE VEÇANËRISHT NË DIVJAKË–KARAVASTA

Sipas “Planit Kombëtar të Veprimit për Ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus) në Shqipëri 2016–2021”, faktorët dhe shqetësimet kryesore që kanë dëmtuar historikisht Pelikanin kaçurrel në Shqipëri, dhe veçanërisht në Divjakë–Karavasta, janë si më poshtë:

  • Shqetësimi nga njeriu, sidomos gjatë sezonit të shumimit, nga peshkatarë të paligjshëm, gjuetarë, turistë dhe vizitorë që afrohen pranë kolonisë së Pelikanit kacurrel. Shqetësimi shkakton braktisje të foleve, vezëve dhe të vegjëlve, dëmtime të vezëve dhe të vegjëlve dhe ulje të suksesit riprodhues të kolonisë. Në Divjakë–Karavasta, shqetësimi konsiderohet një nga kërcënimet kryesore. Ruajtja e kolonisë gjatë natës, edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor kanë ndihmuar në reduktimin e këtij fenomeni.
  • Brakonazhi dhe vrasja e pelikanëve.
  • Brakonazhi është gjuetia, peshkimi ose kapja e kafshëve të egra në mënyrë të paligjshme, pa leje ose në kundërshtim me ligjin. Ai përfshin edhe vrasjen apo tregtimin ilegal të specieve të mbrojtura, përdorimin e mjeteve të ndaluara për peshkim apo kapjen e shpendëve e kafshëve gjatë periudhave kur ndalohet gjuetia.
  • Brakonazhi dëmton biodiversitetin, prish ekuilibrin natyror dhe rrezikon zhdukjen e shumë specieve. Në shumë vende, përfshirë Shqipërinë, ai dënohet me gjoba ose masa penale. Në të kaluarën janë vrarë individë si rezultat i brakonazhit dhe konflikteve me peshkatarët. Edhe pse brakonazhi është reduktuar, ai mbetet problem rastësor në disa zona të Shqipërisë. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i vazhdueshëm mjedisor kanë ndihmuar në reduktimin e këtij fenomeni.
  • Shkatërrimi i foleve, vezëve dhe zogjve. Në të kaluarën ka pasur dëmtime direkte të kolonive nga aktivitetet njerëzore dhe hyrja në zonat e
  • riprodhimit. Këto praktika janë tashmë ndërprerë.
  • Humbja dhe degradimi i habitateve ushqyese, kryesisht si pasojë e tharjes së kënetave dhe ligatinave të tjera, transformimit të habitateve natyrore dhe eutrofikimit të lagunave. Ligatinat shqiptare kanë humbur rreth 50% të sipërfaqes së tyre që prej viteve 1950.
  • Humbja dhe degradimi i habitateve të folezimit. Erozioni i ishullit të Pelikanëve në Lagunën e Karavastasë është kthyer sot në një problem madhor për mbijetesën e kolonisë së Pelikanit kacurrel në Shqipëri. Në 2005-2025, sipërfaqja e ishullit është reduktuar me rreth 53%. Projekti RESCOM po kontribuon në hartimin e një studim fizibiliteti për rehabilitimin e Ishullit të Pelikanit.
  • Përmbytjet dhe moti ekstrem, sidomos gjatë periudhës së shumimit. Rritja e nivelit të ujit dhe stuhitë mund të shkatërrojnë foletë, vezët dhe zogjtë e vegjël. Ky faktor konsiderohet kritik për koloninë e Divjakë–Karavastasë. Ndërtimi i shtretërve të folezimit dhe mirëmbajtja e përvitshme e shtretërve kanë ndërprerë ndikimin e përmbytjeve.
  • Ndotja nga metalet e rënda dhe pesticidet. Ndotësit industrialë, pesticidet bujqësore dhe ndotja nga ujërat e zeza që mund të ndikojnë te pelikanët përmes zinxhirit ushqimor.
  • Eutrofikimi dhe përkeqësimi i cilësisë së ujit në laguna, që shkakton ndryshime në komunitetet e peshqve dhe reduktim të ushqimit të disponueshëm për pelikanin.
  • Ndikimet e ndryshimeve klimatike. Ngritja e nivelit të detit, ndryshimi i regjimit të reshjeve dhe shtimi i fenomeneve ekstreme mund të rrisin përmbytjet dhe degradimin e habitateve të folezimit.
  • Përplasja me linjat ajrore të energjisë elektrike. Janë raportuar raste të dëmtimeve dhe ngordhjeve të pelikanëve nga përplasjet me linjat elektrike pranë habitateve të tyre.
  • Sëmundjet dhe epidemitë, të cilat mund të shkaktojnë mortalitet të lartë në koloni, sidomos në rastet e përhapjes së gripit të shpendëve ose sëmundjeve të tjera infektive.

Për Divjakë–Karavastanë, “Plani Kombëtar të Veprimit për Ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel (Pelecanus crispus) në Shqipëri 2016–2021”, evidenton si më kritike: shqetësimin nga njeriu, përmbytjet gjatë sezonit të riprodhimit, degradimin e lagunës, mungesën e habitateve të përshtatshme për ushqim dhe shumim vecanërsht erozionin dhe degradimin e ishullit të folezimit të Pelikanit kacurrel.

Taulant Bino  AOS/profesor