Të rinjtë e Divjakës mbyllin trainimin me mbjellje pishash në Parkun Kombëtar

Dita e tretë e trajnimit me të rinjtë e bashkisë Divjakë u finalizua me mbjelljen e 100 fidanë pishe të butë! Pas trajnimit për të ngritur njohuritë e të rinjve në Bashkinë Divjake për burimet natyrore dhe vlerat e tyre, zonat e mbrojtura dhe menaxhimin e tyre, INCA dhe shoqata “Horizont EU” në kuadër të projektit “Rrjetëzimi dhe Advokim për Aksione Komunitare të Ruajtjes së Burimeve Natyrore Lokale” financuar nga #LëvizAlbania, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, mbjellja e fidaneve ishte mbyllja e një programi tre ditor “Kamp rinor për komunitetin e të rinjve” me qëllimin e informimit dhe angazhimit të tyre në aksione konkrete advokimi për ruajtjen e burimeve natyrore dhe vlerave të tyre.

 

Mbjelllja e fidaneve finalizoi programin e hartuar për dhënien e njohurive mbi konceptin e burimeve natyrore duke i identifikuar ato në territorin e Bashkisë Divjakë dhe evidentuar vlerat e tyre, njohjen e ZM në territorin e bashkisë duke integruar aktivitetet e zbatimit të planeve të menaxhimit me aktivizimin e të rinjve në to, funksionet e forumit rinor vendor në bashkinë e Divjakes për të nxitur advokimin në zbatim të politikave vendore për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të vlerave natyrore që ndodhen në këtë territor.

Kampi veror në dy ditët e para u frekuentua nga 15 te rinj të shkollave të mesme dhe studentë që kanë shprehur interes për tematikën e kampit veror dhe janë të angazhuar në forumin rinor pranë Bashkisë së Divjakes. Në ditën e fundit 40 nxënës e të rinj u përfshinë në aksionin e mbjelljes së fidanëve duke krijuar një brez të ri të gjelbëruar ku nesër me të drejtë mund të mburren
“edhe unë mbolla pemën time”.