Riciklimi i mbeturinave organike, ndihme per bujqesine

 Është një fjalë e urtë “mbeturinat janë ushqim”. Riciklimi i mbeturinave organike për përdorim nga bujqësia është një praktikë e vjetër në botë.

Një formë e rëndësishme e riciklimit të mbeturinave organike në qytete është kompostimi i tyre.

Një mënyrë tjetër shfrytëzimi e mbeturinave organike është përdorimi i tyre për ushqyerjen e gjësë së gjallë nga bujqësia dhe blegtoria.

Mbeturinat e tregjeve të fruta-perimeve, të hoteleve, punishteve të birrës, furrave të bukës, restoranteve, dyqaneve të mishit, familjeve etj. mund të përdoren si ushqim për derrat, dhitë, pulat etj.

Riciklimi i mbeturinave organike ka disa të mira të tjera përveçse zhvillimit të bujqësisë urbane:

Pakësohet totali i mbeturinave për tu depozituar në landfill;

Lehtësohet riciklimi dhe djegja e mbeturinave të tjera;

Pakësohet emetimi i metanit nga landfillet;

Mund të pakësohen shpenzimet e transportit të mbeturinave etj.;

Riciklimi nuk kërkon shumë investime dhe shpenzime.

 Grumbullimi i plehërave në shumë qytete të botës organizohet në mënyrë të diferencuar, duke ndarë mbeturinat organike nga ato jo organike. Ligji i aprovuar së fundmi mbi trajtimin e mbeturinave kërkon mbledhjen e diferencuar të tyre. Si do të zbatohet në praktikë mbetet për tu parë.

Në qytete italiane, si Paderno  psh., mbledhja e mbeturinave organike organizohet çdo të martë. Familjet të martave duhet të nxjerrin mbeturinat organike në hyrje të ndërtesave dhe këto mblidhen nga bashkia.

Në Indi bashkitë organizojnë ankande për shitjen e mbeturinave organike të qytetit. Në ankande marrin pjesë fermerët e interesuar.

Në Qytetin e Meksikës shfrytëzohen gjerësisht mbeturinat organike të qytetit për bujqësinë urbane dhe peri-urbane. Në vitin 1996 depoja qendrore e furnizimit të qytetit dhe rrethinave me fruta-perime kishte çdo ditë mbi 725 tonë mbeturina organike. 90 tonë prej këtyre përdoreshin për ushqyerjen e 2500 lopëve në ferma të afërta, të cilat prodhonin 37,500 tonë qumësht në ditë. Mbeturinat e domateve përdoreshin për ushqyerjen e ~50,000 derrave, kurse mbeturinat e tjera përdoreshin për ushqyerjen e pulave dhe të lepujve.

 

Mbeturinat organike të punishteve ushqimore (fabrikave të miellit, fabrikave të ëmbëlsirave, furrave të bukës etj.) në qytetin e Meksikës përdoren në stalla si ushqim me përmbajtje të lartë karbohidrati, gjithashtu përdoren dhe nga rritësit e vegjël të bagëtive.

Bari i korrur nga lulishtet e qytetit përbën një burim tjetër foragjeri për stallat urbane dhe peri-urbane.

Në disa qytete të vendeve në zhvillim si Delhi, Montevideo, Kajro etj. përdorimi i mbeturinave organike kryhet në lagjet e varfra periferike. Familje ricikluese grumbullojnë mbeturina në lagjet e shtresave të mesme dhe të pasura të qytetit dhe ndajnë mbeturinat organike nga inorganiket. Mbeturinat inorganike si letrën, qelqin, metalet, plastikën ua shesin bizneseve ricikluese, kurse me mbeturinat organike ushqejnë gjënë e gjallë si kuajt, derrat etj. Në Shqipëri rolin e shtresës ricikluese të shoqërisë kryesisht e luajnë familjet rome.

Në Manila, rritja e derrave në oborr është një traditë e vjetër. Ushqimi i posaçëm për derrat është i shtrenjtë dhe shpesh pronarët e derrave i ushqejnë edhe me mbeturina organike. Është krijuar një rrjet grumbulluesish të cilët grumbullojnë mbeturinat e kuzhinës të restoranteve të qendrës së qytetit dhe ua shpërndajnë ato pronarëve të derrave. Fermerët i blejnë mbeturinat me gjysmën e çmimit të ushqimit komercial.

Në Montevideo rritja e derrave në periferi të qytetit organizohet në forma të ndryshme: familja ricikluese mund ta ketë derrin në pronësi të vetë nga lindja deri në therrje, ose derrat i dorëzohen për majmje nga një person tjetër.

Në Kajro mbeturinat organike të qytetit përdoren për rritjen e derrave në lagjet periferike nga kasta ricikluese. Rëndësia e tyre në pastrimin e qytetit u kuptua në vitin 2009, kur për të ndaluar epideminë e gripit të derrave u urdhërua therrja e gjithë derrave të qytetit. Rezultati: Kajro e gjeti veten të mbuluar nga mbeturinat organike të cilat nuk po përdoreshin më për rritjen e derrave. Një pjesë e familjeve ricikluese (ka ~70,000 të tilla në Kajro), e ndërprenë plotësisht riciklimin sepse rritja e derrave me mbeturinat organike të qytetit përbënte një pjesë të mirë të aktivitetit të tyre ekonomik.

Në qytetin e Diadema-s, Brazil, po studiohet mundësia e mbledhjes së mbeturinave organike derë më derë dhe përdorimi i tyre në kopshte organike lokale.

Një formë tjetër riciklimi e mbeturinave organike urbane është përdorimi i ujërave të zeza të qendrave të banuara për rritjen e peshkut.

Riciklimi i mbeturinave organike pakëson ndohtjen si dhe efektet negative që do të ketë në ekonomi pakësimi në rritje i burimeve fosile, i burimeve minerale dhe i burimeve të tjera.