ReLOaD2 dhe UNDP mbështesin organizatën Horizont EU

Më datë 14 Shkurt 2023, në sallën e Këshillit Bashkiak Lushnjë u bë prezantimi i fillimit të zbatimit të projektit: “Rinia si faktor ndryshimi në realitetin mjedisor dhe sportiv” i cili po zbatohet në qytetin e Lushnjës nga Horizont EU.


Kryetarja e Bashkisë Lushnjë zj. Sefa, vlerësoi Horizont EU për kualifikimin dhe vuri në dijeni grupin e punës për rëndësinë që ka ky projekt si dhe realizimi i tij me sukses si një model për zona të tjera urbane dhe njësi vendore të cilat mund dhe duhet ta marrin si një shembull në krijimin e ambjenteve të tjera në funksion të qytetarëve dhe në shërbim të tyre për të gjitha moshat ku vecanërisht rinia dhe moshat e treta do të jenë përfituesit më të drejtpërdrejtë nga këto investime.

Shkëlqim Bylykbashi, në cilësinë e koordinatorit të projektit, ju shpjegoi të pranishmëve për projektin, zonën ku do të ndërhyet si dhe qëllimin e këtij projekti me fokus rininë dhe krijimin e kushteve sa më komode për përfshirjen e tyre në aksione komunitare dhe krijimin e kushteve minimale për argëtimin dhe kalimin e kohës së lirë.

Në fjalën e tyre, personat e pranishëm: z. Ferdinant Gjermeni-kryetar i Këshillit Bashkiak Lushnjë, z. Albert Dosti-Kisha Ungjillore, zj. Ermelinda Myzeqari-Mendime dhe Iniciativa të Lira (MIL), zj. Anila Sefa-gazetare, z. Ylli Krakulli-drejtor i shkollës 9 vjeçare “Foto Puka” dhe z. Benard Linatopi-kryetar i Rajonit Nr 4, në pozicionet dhe eksperiencat e punëve që ushtrojnë, vlerësuan projektin dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes Institucioneve duke siguruar kështu edukimin e të rinjve dhe nëpërmjet saj jetëgjatësinë e investimit dhe mirëmbajtjen e tyre në vijim.

Gjithashtu, ky projekt dhe ndërhyrhja në zonën Nr.4, sipas të pranishmëve, shihet edhe si nje formë e cila sherben për krijimin e kushteve të mira për kohen e lirë për femijet dhe të rinjtë duke shërbyer si një element për të parandaluar sadopak në të ardhmen largimet masive të të rinjve drejt Europës.

Ky projekt mbështetet nga Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP.

#ReLOaD
#ReLOaDAlbania;
#DemokraciVendore
#Bashkia Lushnje
#BallkaniPerëndimor
#EuropeanUnionInAlbania
#UNDPAlbania