Me miratimin e Ligjit nr. 89/2025 “Për gjuetinë” nga Kuvendi i Shqipërisë, përfundoi edhe periudha mbi 10-vjeçare e ndalimit të gjuetisë në vendin tonë. Një ndalim që, të paktën në letër, kishte për qëllim rikuperimin e faunës së egër dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit. Por si e gjen sot vendin tonë ky ligj i ri? A i shërbeu realisht një ndalim kaq i gjatë ruajtjes së faunës?
Pas më shumë se një dekade moratoriumi, situata në terren nuk paraqet ndonjë përmirësim të dukshëm. Përjashtuar frenimin e gjuetisë turistike, pjesa tjetër e problematikës mbeti e pandryshuar, për të mos thënë se në disa raste është përkeqësuar. Gjatë kësaj periudhe, institucionet përgjegjëse rezultuan të papërgatitura, të patrajnuara dhe pa një strategji të qartë për luftën kundër vrasjes së paligjshme të shpendëve. Ky ndalim duhej të shërbente si një moment reflektimi dhe ndërtimi kapacitetesh, por në praktikë nuk u shoqërua me masa konkrete: nuk u krye asnjë inventar kombëtar i faunës objekt gjuetie, nuk u zhvilluan programe monitorimi të qëndrueshme dhe nuk pati investim serioz në trajnimin e strukturave zbatuese apo të vetë komunitetit të gjuetarëve. A ka kuptim të ndalosh një aktivitet pa e mbështetur atë me një plan të qartë masash?
Në tërësi, ligji i ri për gjuetinë shënon një ndryshim të rëndësishëm formal, por rrezikon të mbetet sërish një kornizë ligjore pa zbatim efektiv nëse nuk shoqërohet me akte nënligjore të qarta, të bazuara në të dhëna shkencore dhe me mekanizma realë monitorimi e kontrolli. Shpresa mbetet që institucionet përgjegjëse të avancojnë ndjeshëm dhe në kohë në përgatitjen e këtyre akteve, sepse pa to, ligji nuk mund të funksionojë dhe rrezikon të përsërisë gabimet e së shkuarës.
Ligji i ri sjell disa risi të rëndësishme, por edhe mjaft pikëpyetje. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me transferimin e përgjegjësisë për zbatimin e ligjit nga niveli qendror te Njësitë e Qeverisjes Vendore (bashkitë dhe njësitë administrative). Ndryshe nga më parë, kur rolin kryesor e kishte Ministria e Mjedisit, tashmë barra e menaxhimit bie mbi pushtetin vendor. Kjo ngre shqetësime serioze mbi kapacitetet reale të NjQV-ve: a kanë ato përgatitjen, njohuritë dhe burimet njerëzore për të administruar një aktivitet kaq kompleks? Një konsultim paraprak me NjQV-të në fazën e hartimit të ligjit do të kishte qenë i domosdoshëm.
Një tjetër element i ri është prezantimi i figurës së “Menaxhuesit të Zonës së Gjuetisë”, person fizik ose juridik që organizon veprimtarinë e gjuetisë, zbaton planin e menaxhimit dhe harton planin vjetor të përdorimit të faunës objekt gjuetie. Menaxhuesi ka gjithashtu detyrimin të kryejë inventarin e kafshëve të egra dhe të vlerësojë kushtet e tyre të jetesës. Në parim, ky është një koncept që synon menaxhim të strukturuar, por mbetet e paqartë se si do të verifikohen këto inventarë dhe nëse do të ekzistojë një mekanizëm i pavarur kontrolli, veçanërisht në mungesë të të dhënave shkencore afatgjata të monitorimit.
Një nga pikat më problematike të ligjit mbetet tregtimi i gjahut, i cili vazhdon të jetë i lejuar, ashtu si edhe në ligjin pararendës. Ky është një precedent i qartë i degradimit të gjuetisë në të shkuarën dhe vazhdon të mbetet një nxitës i fortë i vrasjes në masë. Mjafton një vizitë fundjave në tregun industrial “Dinamo” për të gjetur shpendë, përfshirë edhe specie që nuk janë pjesë e listës së lejuar për gjueti. Tregtimi i gjahut jo vetëm që e banalizon gjuetinë, por nxit përdorimin e metodave të paligjshme dhe shkatërruese.
Edhe pse gjuetia turistike është hequr si nen specifik, ligji lë ende një “dritare të hapur” për shtetas të huaj që dëshirojnë të ushtrojnë gjuetinë në Shqipëri. Kjo krijon paqartësi dhe rrezikon të rikthejë praktika që gjatë moratoriumit u konsideruan problematike.

