Jo një ligj për BE-në, por një ligj që të sigurojë pastrimin e Shqipërisë!

(Në vend të një letre drejtuar Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese dhe Ministrisë së Mjedisit)
Projektligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve po diskutohet në komisionet parlamentare, për ti kaluar seancës plenare së shpejti. Hartuesit kanë nxituar, duke anashkaluar procesin e konsultimit publik. Në relacion, si i të tillë referohet konsultimi i draftit të vitit 2024, i cili ka ndryshime thelbësore nga drafti që është dërguar aktualisht në Kuvend.
1-Ky draft, ndryshe nga ai i 2024-ës, për herë të parë parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, që është një ndryshim rrënjësor në procesin e menaxhimit të mbetjeve. Agjencia do të trajtojë mbetjet në pikën fundore. Ndërsa bashkitë do të përgjigjen për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.
Por drafti duket i paqartë në atë që është thelbësore në procesin e menaxhimit të mbetjeve, ndarja e diferencuar në burim, pra ndarja e mbetjeve sipas rrymave në shtëpi, në restorant, në market etj.
Neni 24, parashikon se “Bashkitë janë përgjegjëse për organizimin dhe funksionimin e ndarjes së mbetjeve në burim dhe grumbullimin e diferencuar të tyre…. Edhe Neni 31 parashikon se është bashkia që ka për detyrim “të garantojë grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore”.
Por, Neni 33, parashikon “Stacionet e transferimit”, si pika të ndërmjetme pas grumbullimit të mbetjeve, ku bëhet.
a) Ndarja e mbetjeve të riciklueshme;
b) Ndarja e mbetjeve në rryma të ndryshme;
c) Ngjeshja e mbetjeve për t’i zvogëluar në përmasa;
Tani, ku ndahen mbetjet, në burim apo në stacionet e tranferimit?
A është kjo punë përgjegjësi e bashkive apo AKEM-it?
Nëse mbetjet shkojnë në “Stacionin e Trasferimit” që, padyshim do të jetë brenda landfillit, ku do të bëhet ndarja e mbetjeve të biodegradueshme nga plastika, mbetjet metalike etj, atëherë jemi sërish në vend. Mbetjet do të shkojnë aty të ndotura dhe jashtë standardit për tu ricikluar. Eksperimenti ka dështuar me sukses në landfillin e Tiranës.
2-Drafti i ri, i pakonsultuar me grupet e interesit, në ndryshim nga ai i 2024-ës, ka hequr nenin që lejon kompanitë e riciklimit të blejnë jashtë lëndë të para nga lista e gjelbërt.
Kjo do të vazhdojë të rrënojë industrinë riciklimit, e cila nuk do të mbijetojë derisa qeveria të ndajë se si do të mblidhen dhe diferencohen mbetjet, për të prodhuar lëndë të parë për këtë industri. Drafti parashikon që AKEM do t’ua shesë ricikluesve mbetjet e seleksionuara në stacionin e trasferimit, por të ndotura ato nuk kanë vlerë për këtë industri. Demotivimi i mëtejshëm i industrisë së riciklimit do të bëjë që të bien edhe rrjetet e grumbullimit privat që largojnë nga rrugët, sheshet dhe mjediset e tjera publike tonelata plastikë dhe ambalazhe metalike çdo vit.
Drafti, më shumë sesa një përpjekje për të zgjidhur përfundimisht dhe në afat të gjatë problemin e madh të menaxhimit të mbetjejeve, duket një përpjekje për të miratuar një ligj, në kuadër të përafrimit të kuadrit ligjor për llogari të procesit të negociatave me BE-në.
Ndaj do të ishte e udhës rikthimi i draftit dhe ulja me njerëzit e duhur për tu konsultuar realisht e jo sa për procedurë.
Para se bëjmë kozmetikë ligjore, ne kemi nevojë për ligje që do të jenë të zbatueshëm dhe që do të prodhojnë një Shqipëri më të pastër.
Mentor Kikia