
Në kuadër të programit të trajnimeve të organizuara nga Horizont EU & Praktika.al në bashkëpunim me qendrën Victory school, gjatë dy ditëve të fundit 3 e 4 dhjetor, u zhvillua katër seanca praktike për përdorimin e portalit të E-Albania dhe Puna.gov.al.
Trajnimi kishte për qëllim të aftësonte pjesëmarrësit me funksionet kryesore të këtyre platformave, mënyrat e regjistrimit dhe menaxhimit të aplikimeve online, si dhe procedurat e nevojshme për të përfituar shërbimet elektronike që ato ofrojnë.

30 persona, burra dhe gra të shtresave të ndryshme të moshës mbi 50 vjec patën mundësinë të praktikojnë hap pas hapi proceset, ndërsa trajneri i Praktika.al udhëhoqi sesionet duke dhënë shembuj konkretë dhe duke adresuar çdo pyetje që lindte gjatë shpjegimit të materialit. Trajnimi u zhvillua në një ambient interaktiv dhe pjesëmarrësit dolën pjesërisht të aftë për të përdorur portalet në mënyrë të pavarur dhe të mund të marin disa shërbime të domosdoshme në përditshmërinë e tyre!
Ky projekt synon të forcojë njohuritë praktike të përdorimit të shërbimeve digjitale të shtresave e moshave të ndryshme me vështirësi praktike në përdorimin e teknologjisë si dhe ti aftësojë për marrjen e shërbimeve bazë në proceset online të këtyre shërbimeve.
Këto sesione trajnimi u zhvilluan në kuadër të projektit: Aftësi dixhitale për Përfshirje Sociale: Aftësimi dixhital i të rinjve dhe grupeve në nevojë si promotor i punësimit dhe ekonomisë, i cili po zbatohet nga organizata Horizont EU në partneritet me Praktika.al
Projekti synon të fuqizojë aftësitë dixhitale të grupeve të marxhinalizuara në zonat më pak të zhvilluara të Lushnjës, për t’i afruar më shumë me tregun e punës dhe mundësitë e vetëpunësimit. Përmes një pakete të integruar kursesh dixhitale dhe orientimi profesional, projekti do të ndërtojë ura konkrete midis përfituesve dhe sektorit të punës, duke i ndihmuar të përfitojnë nga format e reja të punësimit, si puna online, aplikimi në platformat publike: www.e-albania.al dhe www.puna.gov.al si dhe aplikimi në sektorin privat.
Ky projekt realizohet me mbështetjen financiare të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile-AMSHC.
#agjenciapermbeshtetjeneshoqerisecivile
#horizonteu





