Dita Nderkombetare e Ligatinave, Klosi promovon risite e Parkut Kombetar Divjake- Karavasta

2 shkurti i çdo viti është shpallur si “Dita Botërore e Ligatinave”. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it.

 

Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vizitoi Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku evidentoi risite e reja ne kete park si, monitorimi i foleve të pelikanëve me kamera live 24 ore, ndërtimi i një spitali të vogël veterinar për kurimin e kafshëve dhe shpendëve të dëmtuar per arsye te ndryshme, i cili do sherbej si nje spital veterinar per te gjithe vendin.

“Kemi ardhur për të promovuar tre destinacione të reja të Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta. E para është monitorimi i pelikanëve dhe do të jetë një atraksion i shkëlqyer për shumë turistë që vizitojnë këtë park, por po ashtu edhe ndërtimi i një spitali të vogël ku do jenë kushtet 100 % të mbrojtjes së natyrës për kafshët e dëmtuara dhe për zogjtë e dëmtuar të kësaj zone dhe po ashtu do të vazhdojmë me mbjelljen e pemëve”, tha ministri Klosi. Vitin e kaluar Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta u vizitua nga 1 milion turistë, si një ndër parqet më të vizituara në vend.

“Është objektiv i rëndësishëm i Ministrisë së Turizmit për vitin 2020 që turizmi të shndërrohet në një turizëm masiv kombëtar dhe po ashtu edhe për t’u afruar edhe për turistët ndërkombëtar, por ajo çfarë ne duam të promovojmë gjatë gjithë këtij viti është bukuria natyrore e vendit tonë. Fillojmë sot nga Dita e Lagunave në këtë Park dhe do të vazhdojmë pa pushim për të promovuar çdo ditë nga një bukuri natyrore të vendit tonë për t’ ju afruar turizmit shqiptar, dimensionin e tij unikal që është bukuria e natyrës”, tha Klosi. Më pas ata vizituan ishullin e pelikanëve, ku me anë të një kamere të vendosur aty 24 orë dhe të lidhur me faqen web të ministrisë mund të ndiqet live jeta e këtyre shpendëve, të veçantë, të cilët kanë zgjedhur këtë park, si vendbanimin e tyre të përhershëm.

Publiku i gjerë është pak i ndërgjegjshëm për këto shërbime të rëndësishme të ligatinave. Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.