Dita Botërore e Rangers-ave festohet çdo vit më 31 Korrik dhe organizohet nga Shoqatat e Federatës Ndërkombëtare të Ranger (IRF), Thin Green Line Foundation, si dhe nga organizata, shkolla dhe individë që mbështesin punën e Rangers-ave dhe IRF në mbarë botën.
Për herë të parë, Dita Botërore e Rangers-ave u festua në 2007 me rastin e 15 vjetorit të themelimit të IRF.
Kur flasim për zona të mbrojtura, një element i cili qëndron gjithmonë në brendësi të tyre, janë pikërisht rojtarët e këtyre mjediseve kaq të rëndësishme; Rangers-at. Sa herë që një rrezik i kanoset natyrës, janë ata të cilët vihen përpara detyrës për minimizimin e këtij dëmi si dhe për mbajtjen sa më të sigurt pasuritë natyrore kaq të vlefshme për natyrën dhe vetë njerëzimit.
Dita Ndërkombëtare e rojtarëve të mjedisit, e cila për të 4-tin vit festohet edhe në Shqipëri.
Mbrojtësit e natyrës janë ata që çdo ditë janë në terren, janë aty kur bie zjarr, nuk lejojnë të priten pemët, evidentojnë vlerat natyrore të parkut dhe të gjitha këto i bëjnë në bashkëpunim me komunitetin dhe edukojnë çdo ditë nxënësit e shkollave me dashurinë për natyrën.
Agjencia Kombëtare e Zonave të mbrojtura ka mbi 100 rojtarë mjedisorë në trupën e saj, të cilët punojnë me përkushtim.
Në kuadër të kësaj dite çdo AdZM ka zhvilluar sot aktivitete në Zonat e Mbrojtura. Misionit të ruajtjes së natyrës prej tre vitesh i janë bashkuar dhe nxënës të apasionuar pas natyrës, të përzgjedhur nga shkollat pranë Zonave të Mbrojtura.
Dita e Botërore e rojtarëve të mjedisit ose Rangers-ave u vendos si e tillë për të vlerësuar punën e palodhur dhe rolin e tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të spikatura të trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Ata sigurojnë që vizitorët të njohin, zbatojnë dhe respektojnë rregullat e frekuentimit, kujdesen për mbrojtjen e florës dhe faunës, për parandalimi i zjarrit, ruajtjen e hapësirave publike, infrastrukturës, veprave të artit dhe mobilimit urban në parqe.