𝗗𝗬𝗦𝗛𝗜𝗠𝗘 𝗦𝗘𝗥𝗜𝗢𝗭𝗘 𝗣𝗘𝗥 𝗣𝗥𝗔𝗡𝗜𝗡𝗘 𝗘 𝗚𝗥𝗜𝗣𝗜𝗧 𝗧𝗘 𝗦𝗛𝗣𝗘𝗡𝗗𝗘𝗩𝗘 𝗛𝟱𝗡𝟭 𝗡𝗘 𝗗𝗜𝗩𝗝𝗔𝗞𝗘-𝗞𝗔𝗥𝗔𝗩𝗔𝗦𝗧𝗔 / 𝗦𝗘𝗥𝗜𝗢𝗨𝗦 𝗦𝗨𝗦𝗣𝗘𝗖𝗧𝗦 𝗔𝗕𝗢𝗨𝗧 𝗧𝗛𝗘 𝗣𝗥𝗘𝗦𝗘𝗡𝗖𝗘 𝗢𝗙 𝗛𝟱𝗡𝟭 𝗕𝗜𝗥𝗗 𝗙𝗟𝗨 𝗜𝗡 𝗗𝗜𝗩𝗝𝗔𝗞𝗘-𝗞𝗔𝗥𝗔𝗩𝗔𝗦𝗧𝗔

Kadavra të tjera shpendësh të egër gjenden dhe në Divjakë-Karavasta nga AOS (Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë) dhe AdZM Fier (Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Fier) pas raportimit të autoriteteve shtetërore për prani të Gripit të Shpendëve H5N1 në Vjosë-Nartë.

Marrë parasysh rëndësinë e zonës Divjakë-Karavasta, si zona me numrin më të lartë të shpendëve të egër në Shqipëri dhe e vetmja zonë folezimi e Pelikanit kaçurrel Tepër të Rrezikuar, AOS dhe AdZM Fier kryen më 8 Janar 2025 kontrolle të përbashkëta për prani të shpendëve të eger të ngordhur në zonën Divjakë-Karavasta.

Për fat të keq, më 8 Janar 2025 u gjetën 9 kadavra të shpendëve të egër në një sipërfaqe ligatinore të kufizuar. Rezultate janë si më poshtë:

⚡ 4 kadavra të freskëta të Pulbardhës këmbëverdhë (𝘓𝘢𝘳𝘶𝘴 𝘮𝘪𝘤𝘩𝘢𝘩𝘦𝘭𝘭𝘪𝘴)
⚡ 4 kadavra të vjetra të Pulbardhës këmbëverdhë (𝘓𝘢𝘳𝘶𝘴 𝘮𝘪𝘤𝘩𝘢𝘩𝘦𝘭𝘭𝘪𝘴)
⚡ 1 kadavër e gjysëm e freskët e Sternit dimërak (𝘛𝘩𝘢𝘭𝘢𝘴𝘴𝘦𝘶𝘴 𝘴𝘢𝘯𝘥𝘷𝘪𝘤𝘦𝘯𝘴𝘪𝘴)

Shenjat paraprake tregojnë për prani shumë të mundshme të gripit të shpendëve edhe në Divjakë-Kaavasta. Të gjitha kadavrat i përkasin Familjes Laridae që përfshin pulbardhat dhe dallëndyshet e detit gjë që tregon për praninë e një epidemie që prek pak a shumë individë të së njëjtës specie. Katër prej kadavrave ishin shumë të freskëta gje që tregon se shpendët kanë ngordhur thuajse njëkohësisht.

Pas gjetjes së kadavrave, u lajmëruan autoritetet veterinare rajonale Vlorë. Dy specialistë të kësaj drejtorie u shoqëruan në vend dhe kryen grumbullimin e kadavrave të freskëta për kontrolle të mëtejshme veterinare.

Gripi i shpendëve njihet si një sëmundje infektive me virulencë të lartë HPAI (High Pathogenic Avian Influenza) shkaktuar nga Virusi Influenca A që prek kryesisht shpendët dhe në raste të rralla edhe gjitarët përfshirë njeriun. Shenjat klinike janë vështirësi në frymëmarrje dhe vdekje të menjëhershme. Shpërndahet kryesisht nëpërmjet pështymës, mukozës dhe feçeve të shpendëve të infektuar. Varianti H5N1 është veçanërisht virulent dhe mund të shkaktojë vdekje masive të shpendëve të egër dhe të shpendëve të pularive dhe oborreve shtëpiake. Në vitin 2022, variant H5N1 preku popullatën e Pelikanit kacurrel duke shkaktuar rreth 2500 viktima tek Pelikani kaçurrel, shumica e të cilave në Prespën e Vogël, kolonia më e rëndësishme botërore e kësaj specie. Tre kadavra të Pelikanit kaçurrel, te prekura nga gripi i shpendëve u gjendën nw 2022dhe në koloninë e Divjakë-Karvastasë.

Gjatë vëzhgimeve të datës 8 Janar 2025, nuk u vunë re kadavra apo individë në agoni të Pelikanit kaçurrel në Divjakë-Karavasta. Megjithatë, vigjilenca e autoriteteve, shoqatave të specializuara dhe e gjithë palëve të interesuara duhet të jetë e lartë për shkak se në Janar të çdo viti fillon dhe folezimi në koloninë e Pelikanit dhe mundësitë për transmetim të gripit nga një individ tek tjetri janë shumë të larta. I njëjti shqetësim vlen për të gjithë shpendët e sidomos ata që formojnë grupime të mëdha të përbashkëta përfshirë fjetore dhe koloni folezuese.    AOS_ Albanian Ornithological Society.