Planet e Menaxhimit te Zonave te Mbrojtura

Nga Zamir Dedej
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura Plan Menaxhimi për zhvillimin e një zone të mbrojtur Plani i Menaxhimit (PM) përbën dokumentin kryesor në të cilin zona e mbrojtur përcakton rregullat dhe aktivitetet me të cilat do të veprojë për një periudhë kohe.

Plani i menaxhimit është dokumenti i cili udhëheq dhe kontrollon administrimin dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur (ZM), të burimeve natyrore e biologjike të saj në lidhje me përdorimin dhe zhvillimin e aftësive të nevojshme për të përqasur përdorimin e tyre të qëndrueshëm dhe ripërtëritës.

Plani, përgjithësisht, përgatitet për të mbuluar një periudhë kohe relativisht të gjatë, 5-10 vjet për të gjithë zonën, por nuk përjashtohet edhe mundësia e zhvillimit të planeve në varësi të kushteve, vendndodhjes së ZM-së, mënyrës së përdorimit dhe shkallës së degradimit të zonës dhe të burimeve
natyrore e biologjike.

Plani është një dokument “i gjallë”, çka do të thotë se mund të rinovohet/përshtatet me zhvillimin, duke mos ndryshuar thelbin dhe qëllimin e tij. Për të ndjekur zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura ngrihen Komitetet e Menaxhimit, ku përbërja, funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre komiteteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për zbatimin e planeve të menaxhimit mund të angazhohen institucione publike dhe privatë, persona juridikë, vendas ose të huaj, organizata jofitimprurëse mjedisore, në përputhje me rregullat dhe procedurat e konkurrimit e të tenderimit. Pjesa më e rëndësishme e një plani menaxhimi cilësohet paraqitja e qëllimeve dhe e  objektivave të Zonës së Mbrojtur.

Sot, ekziston një akt ligjor që përcakton formatin për të zhvilluar një plan menaxhimi. Plani, si një prej hapave të përfshirë në procesin e planifikimit të hapësirës/punës, siguron dhe jep udhëzime konceptuale e praktike, të nevojshëm për drejtuesit dhe menaxherët e zonës, të cilët kryejnë zbatimin efektiv në terren.

Veç kësaj, plani duhet të përdoret edhe si një mbështetje e administratës së Zonave të Mbrojtura, nëpërmjet pjesëmarrjes në procesin e planifikimit.

Elementët e zhvillimit të një plani menaxhimi të zonave të mbrojtura

Një plan menaxhimi duhet të zhvillohet në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ka një përqasje nga poshtë lart. Po kështu, mund të përdoret dhe si një mjet komunikimi për të fituar mirëkuptimin dhe mbështetjen e institucioneve qendrore në nivel të lartë, të njësive të qeverisjes vendore, të publikut të gjerë, të biznesit e pronarëve privatë dhe të OJF-ve. Mirëkuptimi në këto raste është tepër i rëndësishëm për të përftuar bashkëpunimin me njerëzit lokal, mbështetjen politike dhe burimet financiare.

Përvoja tregon se përfitimi i rezultateve më të mira arrihet përmes ngritjes dhe bashkëveprimit të një grupi ekspertësh të fushave të ndryshme e të lidhur me ZMtë. Një ekip ndërdisiplinor është më efektiv dhe përvoja e çdo anëtari duhet të mbulojë një
fushë të caktuar, ku zakonisht përfshihen ekologjia, biologjia, hidrologjia, gjeomorfologjia, pylltaria, inxhinieria urbanistike
e arkitektonike, sociologjia, ekonomia, etj,. Njohuritë e tyre për zonën janë të domosdoshme. E rëndësishme është edhe pjesa e planifikimit financiar.

Sot, ne në vendin tonë kemi pak eksperienca në hartimin e plan-bizneseve që lidhen edhe me gjenerimin e të ardhurave, por me ngritjen e qendrave të vizitorëve dhe falë analizave socio-ekonomike që po bëhen, ky aspekt po merr rëndësinë që meriton.